Denoncohet tenderi i shëndetësisë për qendrën shëndetësore në Paskuqan, përfundon në KPP

Një javë pasi Qendra Shëndetësore e Specialiteteve Paskuqan shpalli procedurën për blerjen e pajisjeve autoanalizator, tenderi ka përfunduar në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Ka qenë kompania Vinipharma Medical Group në pronësi të Hervin Forës, e cila ka ankimuar tenderin me fond limit 3.2 milionë lekë. Sipas dokumentit zyrtar, ky operator pretendon se kriteret e autoritetit kontraktor janë hartuar në mënyrë të tillë që tenderi të shkojë drejt një fituesi të paracaktuar.

Referuar ankesës, kompania ka kërkuar modifikimin e dokumenteve të tenderit dhe sqarimin e specifikimeve teknike pasi sipas saj kriteret e vendosura janë në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike.

Sipas subjektit ankimues kërkesa e autoritetit kontraktor për paraqitjen e certifikatës së regjistrimit të pajisjes pa u zhvilluar ende procedura është absurde. Kjo pasi pajisjet regjistrohen në momentin që blihen dhe importohen.

Më tej thuhet se kriteri për lëvrimin e mallit 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës është gjithashtu absurd pasi Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore lëshon certifikatën për regjistrimin e pajisjes brenda 30 ditëve nga marrja e aplikimit.
Në dokument thuhet se këto dy kritere tregojnë se kjo procedurë i është dedikuar një kompanie që tashmë e ka pajisjen në magazinë dhe e ka të regjistruar në Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Ndërkohë kompania deklaron se ka paqartësi dhe sa i përket specifikimeve teknike pasi sipas saj nuk ka kuptim që të kërkohet temperatura 120 gradë celcius përderisa pajisja do të realizojë ftohje.

Do të jetë vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik që do të përcaktojë nëse kriteret e kualifikimit janë në përputhje me ligjin e prokurimeve publike.