Borrell: Ushtria ruse po bombardon gjithçka në Ukrainë, Putini ta ndalë këtë luftë!
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ushtria ruse po bombardon dhe granaton gjithçka në Ukrainë.
“Sot, ajo që ne shohim është fytyra e shëmtuar e luftës që shpërthen sërish në kufijtë tanë. Dhe rusët po bombardojnë gjithçka: spitale, shtëpi e shkolla. Shumë viktima civile. Është një mënyrë barbare për të bërë luftë”, - u tha Borrell gazetarëve përpara një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të premten.
Ai i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë bombardimet.
“Putini duhet të ndalet për të ndalur këtë luftë. Ne mbetemi të bashkuar për të kërkuar që kjo luftë të ndalet dhe të shmangen vrasjet e njerëzve të pafajshëm”, - shtoi Borrell.
Shefi i diplomacisë së BE-së shtoi se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut së shpejti do të fillojë një mision për të vlerësuar shkeljen e të drejtave të njeriut që po ndodhin në territorin ukrainas.
Zyrtarë të SHBA dhe të tjerë perëndimorë thonë se pritet të goditen gjithnjë e më shumë objektivat civile nga Rusia dhe të zhvendoset drejt një strategjie të asgjësimit të ngadaltë të ushtrisë ukrainase.

