Sanksionet ndaj Rusisë: Vdekje nga një mijë prerje

Sanksionet e vendosura nga Perëndimi në drejtim të Rusisë si një kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës po fillojnë të japin efektin e tyre.

Me shumë mundësi, të gjithë do të ndikohen nga këto sanksione, por disa sektorë të ekonomisë do të dëmtohen më shumë se të tjerët.

Një javë pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën, jeta në Rusi ka ndryshuar në mënyrë drastike. Vështirë se ka mbetur ndonjë sektor ekonomik – qoftë ai i financës, transportit, udhëtimit, kulturës apo sportit – që nuk është ndikuar nga këto sanksione të paprecedenta. Duke qenë se ka masa të reja që vendosen çdo ditë, nuk është e lehtë të jesh i informuar për të rejat më të fundit që lidhen me sanksionet. Kjo ngjason me formën e torturës së lashtë të njohur si “vdekja nga një mijë prerje” – dhe nga ekonomia ruse tashmë ka filluar të rrjedhë shumë gjak.

Në vetëm pak ditë, rubla ka humbur një të tretën e vlerës së saj. Raportohet për radhë të gjata në ATM dhe njerëzit po hasin probleme kur përpiqen të paguajnë me kartë ose të përdorin platforma pagese si Google Pay apo Apple Pay. Së shpejti, mund të ketë mungesa të pajisjeve elektroshtëpiake, të rrobave dhe të këpucëve që vijnë nga Perëndimi. Këto artikuj mund të fillojnë të bëhen përsëri mallra të rrallë, si në kohën e Bashkimit Sovjetik. Disa ekspertë kanë parashikuar një rënie ekonomike dyshifrore, nëse vazhdohet me trendin aktual.

Megjithatë, tani për tani, Kremlini po përpiqet të tregohet optimist. “Është e vërtetë, ekonomia ruse ka qenë në një presion të madh; asaj i është dhënë një goditje e rëndë. Megjithatë, ne kemi forcën, potencialin dhe planet për t’i tejkaluar ato dhe po bëjmë përpjekje konkrete për këtë. Ekonomia jonë do të qëndrojë në këmbë,” tha të mërkurën nga Moska zëdhënësi i qeverisë, Dmitry Peskov. Qëndrimi i përgjithshëm i Kremlinit është se situata në tregje do të qetësohet së shpejti.

Rusia nuk i ka për herë të parë sanksionet

Në fund të fundit, Rusisë i është dashur të përballet me sanksionet ekonomike nga Perëndimi të paktën që nga viti 2014, kur aneksoi Krimenë. Në atë kohë, qeveria i përshkroi sanksionet me eufemizëm, ndërsa mediat ruse folën për një “realitet të ri ekonomik”.

Megjithatë, kësaj radhe, goditja nga sanksionet është goxha më e rëndë dhe po fillojnë të shfaqen shenjat e para të një krize, ndërsa kryeministrin rus Mikhail Mishustin është caktuar për të mbajtur nën kontroll turbulencat.

Ndalimet e fluturimeve nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara për avionët rusë kanë goditur shumë rëndë aviacionin rus, pasi kompanitë e udhëtimit raportojnë një rënie prej 70% të rezervimeve. Rusët që ia dalin të shkojnë në një plazh të huaj do të duhet të kenë shumë para me vete, sepse disa banka ruse janë përjashtuar nga sistemi global i pagesave SWIFT. Të paktën tre spitale në Tajlandë tani po pranojnë vetëm pacientë nga Rusia që mund të paguajnë me para cash. Gjithashtu, mund të mos jetë aq e lehtë për rusët që po bëjnë pushime jashtë vendit për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, nëse nuk kanë bileta kthimi.

‘Situata ekstreme’ e papritur

Banka qendrore e Rusisë reagoi ndaj rënies së vlerës të rublës duke rritur normën bazë të interesit nga 9.5% në 20%, për të mos lejuar zhvlerësimin e mëtejshëm të saj dhe për të parandaluar rritjen e inflacionit. Megjithatë, banka është në një presion të paprecedentë dhe duket se është befasuar nga vendimi i Perëndimit për të ngrirë dy të tretat e rezervave të saj. Guvernatorja e bankës, Elvira Nabiullina, u tha punonjësve se të gjithë kishin shpresuar që të mos përballeshin me këtë “situatë ekstreme”, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

E përditshmja e biznesit Vedomosti raportoi se tani për tani, klasa e mesme e Rusisë është më e shqetësuara për krizën. Disa restorante në Moskë kanë pasur një rënie prej 60% të numrit të klientëve. Por, sanksionet do të rëndojnë mbi të gjithë qytetarët, parashikoi gazeta. “Rusët i shihnin sanksionet si një ‘ndëshkim për elitat’, por tani kanë filluar të kuptojnë se të gjithë do të ndikohen nga këto sanksione,” shkruhej në këtë gazetë, duke cituar një psikolog.

Në gazetën e përditshme Kommersant, eksperti i njohur i ekonomisë Sergej Utkin paralajmëroi “humbje masive ekonomike dhe shkatërrim të mënyrës së jetesës për të gjitha klasat e shoqërisë”. Ai shtoi se e gjithë kjo është pasojë e fushatës në Ukrainë.

Sporti dhe kultura janë ndikuar shumë

Me sa duket, pak njerëz në Rusi i prisnin sanksionet në fushën e sportit dhe të kulturës. Gjithnjë e më shumë atletë dhe ekipe ruse po përjashtohen nga kampionatet botërore. Finalja e Champions League është zhvendosur nga Shën Petersburg në Paris. Edhe evente të tjera të rëndësishme janë ndikuar në të njëjtën mënyrë. Kjo do të shkaktojë humbje shumë të mëdha në sektorin e hotelerisë.

Disa artistë rusë, si për shembull dirigjenti Valery Gergiev, një mbështetës i Presidentit Vladimir Putin, po humbasin edhe punën e tyre në Perëndim. Megjithatë, sektori i kinematografisë ruse ka marrë goditjen më të madhe. Kur filmi i fundit i Batman do të shfaqet në ekranet mbarëbotërore të enjten, rusët nuk do të mund ta shohin atë. Ky është një nga tre filmat e rëndësishëm që producentët amerikanë kanë vendosur të mos ta shfaqin në Rusi.

Si rezultat i kësaj, kinematë presin një humbje prej 70% të të ardhurave të tyre. Filmat e Perëndimit zakonisht gjenerojnë rreth 75% të të ardhurave të këtyre kinemave dhe, nëse situata nuk përmirësohet deri në maj, ekspertët presin që shumë kinema mund të mbyllen./ DW