Zelensky thirrje NATO-s: Krijoni një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, Aleanca refuzon

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti lutjen e tij për NATO-n që të krijojë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Ai theksoi të enjten se ky do të ishte hapi më i rëndësishëm për momentin pasi Ukraina përballet me bombardimet e pandërprera nga Rusia.

“Ne duam një zonë ndalim-fluturimi sepse njerëzit tanë po vriten. Këto raketa dhe avionë bombardues po vijnë nga Bjellorusia dhe nga Rusia”, tha Zelensky.

“I pyeta Presidentin Biden, Scholz dhe Macron dhe u thashë, se nëse nuk mund të siguroni një zonë ndalim-fluturimi tani, atëherë na tregoni kur?”

Duke folur gjatë një konference televizive për shtyp në Kiev, presidenti ukrainas vazhdoi të pyeste se sa njerëz të tjerë në Ukrainë duhet të vriten përpara se NATO të pranojë të vendosë një zonë ndalim-fluturimi.

“Nëse nuk mund t'u jepni ukrainasve një mundësi, sa kohë ju duhet? Sa njerëz duhet të hidhen në erë? Sa krahë, këmbë dhe koka duhet të priten, që të kuptoni? Unë do të shkoj dhe do t'i numëroj dhe do të presim derisa të kemi një numër të mjaftueshëm," tha Zelensky.

“Nëse nuk keni forcën për të siguruar një zonë ndalim-fluturimi, atëherë më jepni aeroplanë. A nuk do të ishte e drejtë kjo?” - shtoi ai.

Të hënën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se përdorimi i trupave amerikane për të krijuar një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë "nuk është një ide e mirë".

Duke folur gjatë një interviste me MSNBC, Psaki tha se zbatimi i një zone të ndalim fluturimit nga ushtria amerikane “në thelb do të nënkuptonte se ushtria amerikane do të rrëzonte aeroplanë rusë”.

Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha gjithashtu të mërkurën se aleatët e NATO-s "nuk kërkojnë konflikt me Rusinë", duke theksuar se NATO është një "aleancë mbrojtëse".