OKB: Mbi 10 milionë njerëz mund të përfundojnë duke ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se më shumë se 10 milionë njerëz mund të përfundojnë duke ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë.
Në një deklaratë për mediat ata thonë se 4 milionë prej tyre mund të kalojnë kufirin në vendet fqinje.
“Kolegët tanë na thonë se nevojat në Ukrainë po rriten dhe po përhapen çdo orë. Ata paralajmërojnë se megjithëse shkalla dhe shtrirja e zhvendosjes nuk është ende e qartë, ne presim që më shumë se 10 milionë njerëz mund të largohen nga shtëpitë e tyre nëse dhuna vazhdon, duke përfshirë 4 milionë njerëz që mund të kalojnë kufijtë me vendet fqinje”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.
Ndër të tjera ai bëri me dije se disa stafe të OKB-së janë zhvendosur jashtë Kievit, Ukrainë, kështu që ata mund të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë humanitare.
“Kolegët tanë humanitarë theksojnë se për të rritur operacionet tona, ne kemi nevojë për qasje të sigurt dhe të papenguar në të gjitha zonat e prekura nga konflikti,” tha Dujarric.

