Kanadaja përshpejton për ukrainasit aplikimet për qëndrim të përkohshëm e të përhershëm

Përmes një masë të jashtëzakonshme, Kanadaja njoftoi të enjten se do të përshpejtojë aplikimet ukrainase për statusin e qëndrimit të përkohshëm dhe të përhershëm me akses të plotë në programet e punës dhe studimit, si dhe aplikimet për bashkim familjar.

“Kanadaja është e gatshme të mirëpresë ukrainasit që ikin nga lufta e Vladimir Putinit dhe nuk ka asnjë kufi për numrin e aplikimeve që ne do të jemi të gatshëm të pranojmë”, - tha Sean Fraser, ministri i imigracionit i Kanadasë, në një konferencë shtypi në Otava.

Kanadaja është shtëpia e diasporës më të madhe ukrainase në botë pas Rusisë, me më shumë se një milion kanadezë që pretendojnë trashëgiminë ukrainase.

Një prej tyre është zëvendëskryeministrja e Kanadasë, Chrystia Freeland, e cila thotë se është krenare për ukrainasit dhe se si ata po i rezistojnë sulmit rus.

“Ka çdo arsye për të besuar se situata do të përkeqësohet dhe shumë më tepër njerëz do të vdesin, dhe ne si kanadezë duhet të përgatitemi për këtë. Tashmë ka qenë një gjakderdhje, mendoj se do të bëhet më shumë e tillë”, - tha Freeland, duke shtuar se ushtarët rusë që luftojnë kundër vullnetit të tyre janë gjithashtu viktima të këtij konflikti.

Kanadaja bëri me dije  gjithashtu se do të revokojë statusin e "kombit më të favorizuar" si për Rusinë ashtu edhe për Bjellorusinë.

Kjo do të thotë që importet nga ato vende tani do të përballen automatikisht me një tarifë prej 35%.

Freeland shtoi se Kanadaja ishte një nga vendet e para që ndërmori këtë hap dhe inkurajoi aleatët të bënin të njëjtën gjë.

Kanadaja gjithashtu njoftoi se ka dërguar më shumë dërgesa me ndihma dhe pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë edhe raketahedhëse.