Ushtarët ukrainas ngrenë pika kontrolli në Hostomel, në perëndim të Kievit
Imazhet e publikuara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës tregojnë ushtarë ukrainas dhe anëtarë të mbrojtjes territoriale duke qëndruar roje në pikat e kontrollit në Hostomel, në rajonin perëndimor të Kiev.
Ukraina ka kërkuar që Rusia të sigurojë korridore humanitare për të lejuar furnizimet shumë të nevojshme për qytetet e shkatërruara nga lufta, kur sulmi i Moskës hyn në javën e dytë.
Një pjesë e ukrainasve, rreth 1 milionë banorë, tashmë janë larguar nga vendi dhe janë strehuar në vendet fqinje evropiane.
Ndërkohë, ata që kanë ngelur në qytetet ukrainase ku ka konflikt janë strehuar në bunkerë, metro, stacione treni apo bodrume të banesave të tyre për t’iu shmangur sulmeve, ndërsa kërkesa për ushqime dhe furnizime të ndryshme mbetet e lartë.
Pasi kishte dislokuar rreth 150 mijë forca në kufirin me Ukrainën, Rusia pushtoi fqinjin e saj në orët e para të 24 shkurtit, duke shkaktuar konfliktin më të rëndë në Evropë në dekada.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se ky ishte një “operacion special ushtarak" për të "çmilitarizuar dhe de-nazifikuar" Ukrainën.

