Brdariç: 3 pikë me vlerë, jemi në pozicion të favorshëm. Devolli kërkon më shumë qetësi

Fitorja me Dinamon ka rikthyer qetësinë dhe optimizmin te Vllaznia. Trajneri Brdariç ne reagimin pas ndeshjes tha se fitorja ishte me shumë rëndësi edhe pse mund të bëhej më mirë sidomos pas zëvendësimeve të kryera.

“Unë jam shumë krenar me qasjen dhe mentalitetin e ekipit tim. E nisëm lojën shumë fort dhe në fund ia dolëm të fitonim. Luajtëm të organizuar që prej fillimit të ndeshjes. Aralica e meritoi sot me paraqitjen e vet. Është munduar të qëndrojë i qetë, edhe ne jemi përpjekur ta mbrojmë. Nuk mund të them se isha i acaruar në fund, isha i lumtur për fitoren, por po i flisja lojtarëve për disa gjëra që ndodhën në fushë. Dinamo po lufton për mbijetesën, ata kanë ekip të forta, por në fund fituam ne. Kur tërhiqemi duhet të jemi më zotët në kontrollin e topit dhe të shfrytëzojmë hapësirat. Ne bëmë të kundërtën, i lamë shumë hapësira Dinamos. Mos harroni që kemi qëndruar me një lojtar më pak në disa ndeshje. Objektivi? Jemi në një pozicion të favorshëm në tabelë, ujemi edhe në gjysmëfinale të Kupës Duam të ngushtojmë diferencën me ekipet sipër nesh. Të ruajmë formën e mirë dhe të vazhdojmë përpara”, u shpreh trajneri i Vllaznisë.

Ndërkohë në kampin tjetër, trajneri Devolli sigurisht nuk mund të jetë i kënaqur por kërkoi nga skuadra të jenë më të qetë dhe të luajnë gjithmonë ashtu siç bënë në pjesën e dytë me Vllazninë.

Duhet të bëjmë atë që bëmë në pjesën e dytë. Vllaznia bën futbollin më të mirë, ka ekip cilësor, ka lojtarë të fortë dhe të shpejtë në sulm. E nisëm mirë lojën, morëm penallti në rastin e parë që Vllaznia na erdhi në portë. Pësuam edhe golin e dytë, më pas luajtëm ashtu siç luajmë ne. Mbajtëm Vllazninë në zonën e 16 metrave, kjo tregon se kemi cilësi, por na dëmton ana psikologjike. Rezultatet e kundërshtarëve ndikojnë, por të vazhdojmë të punojmë me kokën poshtë. Me entuziazëm duhet të thyejmë akullin .Finalja e sezonit me Skënderbeut? Kemi ndryshuar për mirë, prodhojmë lojë dhe raste, dhe nuk shthuremi, kjo ka rëndësi. Por, për mua janë 13 finale, jo vetëm ndeshja me Skënderbeun. Të jemi edhe pak më të qetë, nga unë dhe presidenti, t’i qëndrojmë më afër ekipit dhe të dalim nga kjo situate ku jemi”, tha në reagimin e tij trajneri i Dinamos./Ora News/.