Rusia në kundërsulm: Kërkon dëmshpërblim dhe rikthimin në playoffin e Botërorit
Futbolli rus nuk dorëzohet dhe i përgjigjet vendimeve të marra ditët e fundit nga FIFA dhe UEFA. Me një deklaratë të publikuar në faqen e saj, Federata Ruse e Futbollit ka njoftuar se do të apelojë zyrtarisht në CAS, Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, kundër përjashtimit të kombëtares nga playoffi i Botërorit 2022 dhe nga çdo kompeticion ndërkombëtar.
Skuadra e Stanislav ÇerÇesov do të përballej me Poloninë në fund të marsit në play-off për Kupën e Botës, përpara se të përjashtohej për shkak të shpërthimit të luftës në Ukrainë.
“Si pjesë e një padie të vetme kundër dy organizatave, RFU do të kërkojë rivendosjen e të gjitha ekipeve kombëtare ruse të meshkujve dhe femrave në të gjitha llojet e turneve të futbollit në të cilat kanë marrë pjesë, si dhe kompensim për dëmet, nëse është i mundshëm. Për të siguruar mundësinë e pjesëmarrjes së ekipeve ruse në ndeshjet e ardhshme të planifikuara, RFU do të insistojë në një procedurë të përshpejtuar për shqyrtimin e çështjes. Nëse FIFA dhe UEFA refuzojnë këtë procedurë, do të paraqitet një kërkesë për vendosjen e masave të përkohshme në formën e pezullimit të vendimeve të FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe të garave në të cilat ekipet ruse duhet të kishin marrë pjesë”.
Pra strategjia e Rusisë është e qartë, edhe nëse nuk arrin ta kthejë vendimin nga FIFA dhe UEFA do të tentojë të mbajë vendimin pezull në mënyrë që skuadrat ruse të marrin pjesë në eventet e parashikuara dhe në një moment tjetër të jepet dhe vendimi përfundimtar./Ora News/.
