Shpërthen trajneri i Kukësit: Ajo që pamë në fushë ishte një turp, ishte e tepërt
Nuk mund ta kapërdijë dot Diego Longo humbjen 5-0 me Partizanin. Në reagimin e tij pas ndeshjes së humbur, trajneri italian shpërtheu në akuza të forta duke deklaruar hapur se ndeshja u vendos nga arbitri. Ai ankohet për penalltinë e parë dhe për golin e anuluar që do të rihapte ndeshjen në pjesën e parë të takimit.
“Unë zakonisht nuk flas kurrë për arbitrat, por kjo që ndodhi sot ishte turp, ishte e tepërt. Kjo ishte shumë, u kalua çdo limit. Deri në minutën e 36-të ishte vetëm një ekip në fushë, më pas u akordua kundër nesh një penallti që nuk ishte penallti. Më pas na u anulua goli në pjesën e dytë, të gjithë vendimet arbitrare ishin kundër Kukësit. Janë vendime të gabuara. Ky është sport? Një ekip tenton të luajë futboll dhe dikush e frenon. Nuk mund të flas për një ndeshje që vendoset nga arbitrat. Le të flasim për 20 minutat e fundit. Mund të flasim për ndeshjen deri në minutën e 36-të. Dua të jem i qartë: nuk dua të humbas as respektin e medieve dhe të Partizanit. Nuk dua të flas, sepse po të flas do të them fjalë të pista. Është diçka që shihet, është shumë e qartë, është një turp. Urime Partizanit, i respektoj, i respektoj edhe mendimet tuaja. Kjo që ndodhi sot është turp, unë jam përgjegjës për shumë familje”, reagoi tepër i revoltuar trajneri italian pas ndeshjes./Ora News/.
