Rriste 330 rrënjë kanabis me llamba, 40-vjeçari vlonjat e kishte kthyer banesën në “shtëpi bari”
Lidhja e paligjshme e energjisë elektrike zbuloi një laborator të rritjes së bimëve narkotike përmes ngrohjes me llamba brenda një banesë në Vlorë. Brenda saj, u gjetën në proces rritje 330 rrënjë kanabis sativa dhe një sasi në tharje. Në pranga u vu Anest Rrapaj 40 vjeç.
Kjo shtëpi në lagjen "Kushtrimi" në Vlorë ishte shndërruar në një laborator të rritjes së bimëve narkotike përmes ngrohjes me llamba.
Lidhja e paligjshme energjisë elektrike që përdorej zbuloi veprimtarinë në qytetin bregdetar.
Kur efektivët e policisë së Vlorës mësynë brenda ambientit u përballën me një pyll kanabisi.
330 rrënjë po kultivoheshin në kova plastike.
Mbi to qëndronin të vendosura për ti ngrohur 88 llamba ndërsa muret ishin veshur me material për të ruajtur nxehtësinë.
18 freskuese dhe 5 aspiratorë përdoreshin për të qarkulluar ajrin nga shtëpia e barit.
Një sasi tjetër kanabisi ndërkohë ishte në proces tharje.
Në pranga përfundoi Anest Rrapaj 40 vjeç, i cili sipas policisë e kishte në përdorim banesën që ishte kthyer në laborator kanabisi.
Ndërkohë operacioni mësohet se vijon për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Pak javë më parë, policia e shtetit nisi një aksion kombëtar kontrolli për zbulimin e të ashtuquajturave shtëpitë e barit që janë konfirmuar dy vitet e fundit në mënyrën kryesore të kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri.








