Të dielën zgjedhin kryebashkiakët, 6 bashki bëhen gati për zgjedhjet e pjesshme vendore
Qytetarët e Shkodrës, Dibës, Durrësit, Rrogozhinës, Lushnjes e Vorës janë thirrur të dielën të zgjedhin kryebashkiakët e rinj, pasi ata që dolën nga procesi i vitit 2019 e kanë humbur mandatin për arsye të ndryshme. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka dërguar të parat materialet zgjedhore.
Bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Lushnje e Vorë po bëhen gati për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka dërguar të parat materialet zgjedhore pranë KZAZ-ve.
Monitorët, dhomat e fshehta të votimit dhe kamerat janë marrë në administrim nga anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve
Deri më tani nuk ka raportime për problematika.
Me 170 mijë votues Shkodra është një prej bashkive të mëdha ku votohet të dielën.
Ata do të votojnë në 246 qendra votimi, ndërsa procesi administrohet nga katër KZAZ.
KZAZ nr.2 mbetet më e madhja pasi ka në administrim 109 qendra, ku përfshihen njësitë administrative nga Dukagjini në Velipojë.
"Për shkak dhe të pozicionit gjeografik ka një shtrirje jashtëzakonisht të madhe ku qendrave të votimit të Dukagjinit, Shalës, Shoshit, Pultit, u duhen 4-5 orë për të transportuar bazën materiale. Shpresojmë që kur të vijë baza materiale të furnizohemi të parët".
KZAZ nr 4 ka 46 qendra votimi dhe çdo gjë është gati për këtë proçes.
"Kanë ardhur pothuajse shumica e materialeve përfshirë monitorë, kamera, kuti të fshehta. Presim pjesën tjetër."
Votimi për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Lushnje e Vorë do të nisë në orën 07:00 dhe zyrtarisht mbyllet në 19:00.
