“Lulëzon” trafiku i klandestinëve, kapen 4 “taksistë” duke traportuar 16 emigrantë të paligjshëm

Përfshirja e Shqipërisë në rrugën e emigrantëve drejt BE ka ndikuar në lulëzimin e trafikut të klandestinëve. 3 raste u goditën në 24 orët e fundit, ku 4 të ashtuquajtur taksistë u kapën duke transportuar 16 emigrantë.

Trafikimi i klandestinëve është një prej veprimtarive kriminale që po lulëzon që kur Shqipëria u përfshi në atë që quhet Rruga Ballkanike e emigrantëve drejt vendeve të BE.

Ndër vite janë zbuluar disa grupe kriminale të mirëfillta të përfshira në këtë veprimtari madje duke rikthyer edhe skafet drejt Italisë, ose përmes falsifikimit të dokumentave për tu hapur kufijtë emigrantëve.

Por veprimtaria e paligjshme më e përhapur është ajo e transportit të klandestinëve përmes Shqipërisë kundrejt pagesës.

Tre raste të tilla janë goditur nga policia në 24 orët e fundit, duke vënë në pranga 4 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Një 22-vjeçar u arrestua në Durrës, duke transportuar 7 klandestinë nga Jemeni dhe Palestina drejt Shkodrës.

Emigrantët sipas policisë do të dërgoheshin në Shkodër nga ku ata do të kaloheshin në Mal të Zi me qëllim trafikimin në vendet e Bashkimit Europian.

Tre rinj ndërkohë u vunë në pranga në jug të vendit, aty ku nis veprimtaria e të ashtuquajturve taksistë të klandestinëve.

Aleksandër Dauti, Ergys Azoti, përkatësisht 26 dhe 23 vjeç, banorë të Sarandës, u kapën duke në aksin rrugor Qafë Muzinë-Gjirokastër, duke transportuar 3 emigrantët nga vendet e Lindjes së Mesme në konflikt.

Dy bashkëpunëtorë të tyre i shpëtuan arrestimit dhe u shpallën në kërkim.

Ndërkohë Kastriot Cena, 29 vjeç nga Kavaja, u vu në pranga në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke transportuar me automjetin e tij, 6 emigrantë të paligjshëm.

Të ashtuquajturit taksistë klandestinësh marrin përsipër transportin e emigrantëve kundrejt pagesës nga kufijtë jugore me Greqinë drejt kufijve më Kosovën e Malin e Zi.