Raporti i DASH: Shqipëria bazë lokale për trafikantët ndërkombëtarë të drogave

Departamenti Amerikan i Shtetit e cilëson Shqipërinë si vend burim të kanabisit edhe për vitin e fundit. Në raportin e sapo-publikuar thuhet se vendi është nyje e trafikimit të droga të forta drejt BE-së. DASh vëren se korrupsioni dhe prania e rrjeteve të krimit të organizuar bashkë me boshllëqet ligjore, pengojnë luftën ndaj pastrimit të parave. Sipas raportit, ky krim më së shumti realizohet në industrinë e ndërtimit dhe pasuri të paluajtshme .

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën ndaj narkotikëve dhe pastrimin e parave e klasifikon Shqipërinë si një vend burim i kanabisit dhe një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane.

Dokumenti i administratës amerikane thekson se “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj Pastrimit të Parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar dhe boshllëqeve në legjislacion dhe mbikëqyrje”.

Në raport thuhet se “kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët kombëtarë shqiptarë”, të cilët vlerësohen se “luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar”.

Vendi ynë konsiderohet si “një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar”, ndërsa vihet në dukje se “grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë".

Grupet shqiptare vlerësohet të kenë shtrirë praninë e tyre në të gjitha hallkat e trafikut që nga blerja, transporti, shpërndarja deri te zinxhiri i shitjeve në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

SHBA thekson se “autoritetet shqiptare patën rritje të konfiskimeve të kokainës në Portin e Durrësit në vitin 2021, kryesisht në dërgesat e bananeve nga Ekuadori” dhe se “forcat shqiptare të rendit shqiptar morën pjesë në disa operacione të zbatimit të ligjit në shumë shtete në vitin 2021, me shtetas shqiptarë të arrestuar ndër të tjera në Greqi, Itali, Spanjë dhe Holandë”.  

Sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë nxitësit kryesorë” të fenomenit të drogës në Shqipëri.

Sektori i ndërtimit, i pronave të paluajtshme dhe përfshirja në sipërmarrje janë, sipas raportit, ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme.

Autorët e raportit theksojnë se shumica e objekteve të lojërave të fatit u mbyllën dhe u shpallën të jashtëligjshme në vitin 2019, por legjislacioni ende lejon lojërat në kazino në hotelet me pesë yje.

Bastet online, edhe pse të paligjshme, përsëri ndodhin përmes platformave të vendosura jashtë Shqipërisë”.