Situata nga Covidi, Çomo: Më pak të shtruar në spital por kemi vdekje çdo ditë

Javët e fundit kanë shënuar incidencën më të ulët nga Covid 19 në vendin tonë.

"Java e fundit ka shënuar incidecën më të ulët, krahasuar me javë e pikut në Janar. Referuar të dhënave statistikore të 2021, kemi indikatorët matës shumë më të ulët krahasuar me të njëjtat periudha. Sa i përket incidencës dy javore, e kemi në nivelin e 97.6%. Indikatorëve matës i bashkohet edhe grupmosha që ka tendencë në rënie në të gjitha moshat, por ka një tendencë të luhatur te të miturit", tha drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Edhe drejtoresha e Infektivit, Najada Çomo, tha se numri i pacientëve të shtruar është ulur muajit e fundit, por megjithatë çdo ditë në vendin tonë humbin jetën njerëz të infektuar me virusin.

 “Vlen të theksojmë se pacientët e shtruar në spital janë të pa vaksinuar, pavarësisht se kemi ulje të numrit të të shtruarve, kemi vdekje çdo ditë. Nëse këta do të ishin vaksinuar, padiskutim që ky numër do të ishte shumë më i ulët. Unë bëj thirrje permanente, që pavarësisht se kemi ulje,  "arma” jonë është vaksina", tha ajo.