Prokurori Dritan Nushi pushon çështjen HAKO, paralajmërimi i infermierit: E mbyllin ata se kanë lekë
"Ora investigim" ka publikuar deshmitë kontradiktore të përfaqësuesve te kompanisë HAKO në tentative për të fshehur aksidentin në punë të shtetasit Genc Kallari.
Me HAKO-n ka bashkëpunuar edhe infermieri i Spitalit të Traumës me iniciale V.A i cili ka deklaruar ne prokurori se nuk mban mend ta ketë mjekuar shtetasin Genc Kallari në ndonje shtëpi private.
Kamera e fshehtë e "Ora investigim" ka faktuar momentin kur infermieri i Spitalit të Traumes ka pranuar përpara kolegut të tij se shtetasin Genc Kallari ai e ka mjekuar fillimisht në klinikën e tij private dhe më pas ai ka ardhur ne Spitalin e Traumës.
Infermieri: E mora unë, e kam mjekuar unë.
Infermieri i Spitalit të Traumës ka deklaruar në prokurori se nuk e njeh përgjegjësin teknik të HAKO-s shtetasin me iniciale Y.P.
"Ora investigim" ka faktuar se këto dy shtetas njihen.
Infermieri: Ajo Ylli ti je? Dëgjo tani çfarë bëre me atë çunin ti se ai më ka ardhur këtu mua, Genci Kollari. Çfarë bëtë me të? A e more në punë? Unë e kam këtu, ai është një hallexhi. I shikojmë dorën ka bërë fibrozë të tendinave po ti merre fute në punë, po të futem mik unë.
Infermieri i Spitalit të Traumës është plotësisht në dijeni të faktit që Genc Kallari është aksidentuar në ambientet e punës panvarsisht faktit që HAKO ka deklaruar se ai është vrarë në ambientet e shtëpisë.
Infermieri: Pse ta ka bërë ai maskarai që ka thënë është vrarë në shtëpi kur ti je vrarë në punë. Ai donte t'ja merrje me film ku u vrave ti.
Prokurori Dritan Nushi e humb fillin e argumentit dhe në kërkesën për pushimin e çështjes vijon të flasë për një tjetër person të aksidentuar në punë që ka rënë nga lartësia.
Këto janë dy aksidente te ndryshme që nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën.
Kjo është nje dëshmi e qartë se si arsyetimet bëhen copy-paste.
Paralajmërimi i infermierit se leku i mbyll çështjet në prokurori dhe se i madhi e ha të voglin me sa duket ka rezultuar të jetë i vërtetë.
Infermieri: Ata në Prokurori kanë besuar atë, nuk të kanë besuar ty. Genco kanë lekë, i madhi e ha të voglin, pikë muhabeti.
I bëjmë thirrje prokurorisë së Tiranës që të rihapë hetimet për këtë rast pas fakteve të reja dhe dëshmive që "Ora investigim" ka publikuar.

