Covidi u harrua për fushatë, infektimet në Shkodër u ulën gjatë shkurtit, pritet shpërthim në mars
Infektimet me Covid 19 shënuan rënie gjatë muajit shkurt në Shkodër, por mjekët presin një shpërthim të ri në mars. Frika lidhet me Fushatën për zgjedhjet e 6 marsit, ku rreziku i virusit duket se ka qenë shqetësimi i fundit.
Dy ditët e fundit të shkurtit u mbyllen pa infektime me Covid -19 në Shkodër, ndërsa i gjithë muaji shënoi rënie drastike të rasteve të reja.
"Numri i infektimeve ka ardhur çdo ditë në rënie sa i përket muajit shkurt."
Nga testet e kryera, qytetarët që dolën pozitiv, rezultuan mbartës të variantit të ri Omicron, por pa simptoma të rënda.
"Ka qenë dominant në 90% të rasteve duke mos përjashtuar Deltën. Pjesa më e madhe janë të pavaksinuar. Rastet te të miturit janë sporadike."
Frika që kanë mjekët lidhet me fushatën elektorale të këtyre 2 javëve, ku grumbullimet kanë qenë prezente, ndërsa për respektim masash as që mund të flitet.
"Grumbullimet janë faktor risku, duhet të zbatojnë masat dhe mund të pritet një rritje e lehtë e rasteve të invektimeve".
Apeli i mjekëve është që periudha post-Covid, për ata që dolën pozitiv, të mos neglizhohet.
Aktualisht Shkodra si qark ka në total 106 qytetarë aktivë me koronavirus.

