Doza e tretë e vaksinës? Sulçebe: Ta marrin të gjithë; Alimehmeti: Mosha e tretë dhe ata me probleme
Mjekët në Shqipëri janë të ndarë në këshillat sa i përket kryerjes së dozës përforcuese të vaksinës. Imunologu Gen Sulçebe thotë se duhet te injektohen të gjithë personat mbi 18-vjeç ndërsa mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti e sugjeron dozën e tretë vetëm për ata në moshë të madhe.
Në Shqipëri doza e tretë e vaksinës u miratua në 2 dhjetor të vitit të shkuar dhe prej atij muaji ajo mund të kryhet nga çdo person mbi 18-vjeç.
Por ekspertët e shëndetit janë të ndarë nëse injeksionin përforcues mund ta kryejnë të gjithë.
Mjeku imunolog Genc Sulçebe sugjeron marrjen e dozës së tretë nga çdo qytetar pasi ajo mbron nga infektimi.
"Edhe nëse e kanë kaluar infeksionin, doza e tretë duhet bërë nga të gjithë që nuk duan të infektohen."
Por tjetër mendim ndan mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti.
Ai thote se vaksinen e tretë duhet ta bëjnë vetëm moshat e mëdha dhe personat që vuajnë nga probleme të rënda shëndetësore.
"Në përgjithësi jo, në grupe të caktuara pacientësh ndoshta po".
Prej nisjes së fushatës në janar të vitit 2021, në Shqipëri janë vaksinuar me dy doza rreth 42% e popullsisë, ndërsa dozën e tretë e kanë marrë 7.8% e qytetarëve.
Përveç personave mbi 16 vjeç, vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku.

