Banka e gjakut me mungesa, më të shumtë dhuruesit familjarë se sa vullnetarët
Banka e gjakut mbetet me rezerva të kufizuara edhe pse gjatë muajit janar janë dhuruar rreth 2000 njësi, pjesa më e madhe nga familjarët. Të paktë janë vullnetarët që dhurojnë gjak, ndërkohë që mjekët bëjnë thirrje për sensibilitet në këtë drejtim me qëllim përmbushjen e nevojave të pacientëe veçanërisht në rastet urgjente.
Rezervat e gjakut në Shqipëri vijojnë të jenë të ulëta në krahasim me nevojat.
Mjekja Ejona Braho, nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut thotë se vetëm gjatë janarit janë bërë 2000 dhurime dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga familjarë, jo nga vullnetarët.
"Nga janari i këtij viti, me gjithë pjesën e festave dhe të pandemisë, kemi pasur diku 2000 dhurime, prej të cilave shikohet që numri i dhurimeve vullnetare është goxha i ulët, diku te 300-400."
Megjithëse për vitin 2021 është arritur synimi për 35000 dhurime, përsëri shqetësuese mbetet përmbushja e nevojave me gjak për rreth 600 fëmijë talasemikë.
"Mungesa për gjak është e vazhdueshme, nevojat pë gjak janë gjithmonë të vazhdueshme dhe në rritje e sipër. Fëmijët talesemikë arrijmë ti mbulojmë disi duke u ndihmuar dhe nga dhurimet familjare. Por janë vullnetarët, ata të cilët ne kemi nevojë."
Viti që lamë pas shënoi një rritje me rreth 5000 dhurime më shumë se 2020, por megjithatë, mjekët apelojnë përsëri për më shumë vullnetarizëm nga kushdo që ka mundësi nga mosha 18 deri në 60 vjeç.

