S'ka mjekë specialistë, banorët e qarkut Gjirokastër nuk marrin dot në kohë shërbimin që u duhet
Banorët e qarkut të Gjirokastrës ankohen për mungesën e mjekëve specialistë në qytetet ku jetojnë. Për këtë arsye ata detyrohen të udhëtojnë me orë për të marrë shërbimin që u duhet.
Mungesa e mjekut specialist aty ku jetojnë i detyron të udhëtojnë disa orë për të marrë shërbimin që u nevojitet.
"Jam nga fshati, Tepelena alamet spitali por nuk ka mjekë. Nga halli vijmë këtu."
Hallin e kësaj zonje e kanë të gjithë banorët e qarkut të Gjirokastrës.
Në Përmet, Këlcyrë e Tepelenë për shërbime të specializuara nuk ka mjekë.
Edhe pse vitet e fundit në spitalet e këtyre qyteteve është investuar në infrastrukturë aty ofrohen vetëm shërbimet bazë.
Për një vizitë me mjekun specialist banorët e këtyre zonave duhet t`i drejtohen spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër.
"Bëra skaner të mushkërive, nuk ka në Përmet."
Por edhe aty stafi ka mungesa. Vizitat me mjekët specialistë nuk mund të kryhen çdo ditë.
"Për veshët një herë në javë, duhet të vij prapë. Dua lekët e dynjasë, pension 100 mijë lekë marr."
Por kur mjekët janë qytetarët thonë se duhet të presin gjatë për shkak të radhës.
"Mund të presësh një ditë dhe nuk mbaron punë."
Vitet e fundit spitalet në rrethe janë duke vuajtur mungesën e mjekëve specialistë.
Doktorët që ofronin këto shërbime kanë dalë në pension, shumë janë larguar jashtë vendit dhe po të njëjtën rrugë po ndjekin edhe të rinjtë që përfundojnë studimet.

