Pas shkurtimit të karantinës, mjekët sugjerojnë edhe heqjen e orës policore, Alimehmeti: Duhet të shkojmë drejt hapjes
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të ulë në 5 ditë karantinën për të infektuarit me Covid-19 nga 1 javë që ka qenë më parë. Po ashtu Komiteti ka shkurtuar edhe kohën e marrjes së dozës përforcuese. Injeksioni i tretë mund të kryhet 5 muaj nga marrja e dozës së dytë. Megjithatë mjekët infeksionistë thonë se ky organizëm dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të reduktojnë më tej masat në fuqi të cilat nuk kanë më kuptim.
Të infektuarit me Covid-19 do të qëndrojnë më pak ditë në izolim. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që karantina të jetë 5 ditë nga 7 që ishte e detyruar më parë.
Simptomat e lehta të Omicron, variantit dominues të Covid dhe fakti se infeksioni kalon në kohë më të shpejtë nxitën Komitetin Teknik të Ekspertëve për të ulur ditët e karantinimit për të prekurit nga infeksioni.
Në fillim të pandemisë të prekurit detyroheshin të qëndronin dy javë në izolim, por me përmirësimin e situatës ditët e karantinës janë reduktuar.
Megjithatë disa ekspertë mendojnë se ka ardhur koha që të rishihen edhe masat e tjera me qëllim reduktimin e tyre.
Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, thekson se kufizimet nuk kanë më vlerë.
"Orari i kufizimit të lëvizjes së lirë nuk ka asnjë arsye dhe nuk ka pasur ndonjë arsye pse të qëndrojë, është tjetër gjë që ka të bëjë me masat ku ka aktivitet me shumë njerëz, me grumbullime të mëdha, kjo do ponderuar, por ka shumë gjasa që ka ardhur momenti që edhe kjo lloj mase të largohet dhe ne të shkojmë drejt hapjes."
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se masat do të rivlerësohen në javët e para të muajit mars dhe në çdo rast do të merret parasysh numri i infektimeve dhe fataliteteve.
Të mërkurën Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi po ashtu që doza e tretë e vaksinës mund të kryhet 5 muaj pas injeksinonit të dytë.
Disa mjekë sugjerojnë që vaksina e tretë të kryhet nga të gjithë personat mbi 18-vjeç, ndërkohë që të tjerë e këshillojnë atë vetëm për të moshuarit dhe ata me probleme të rënda shëndetësore.
Prej dhjetorit dozën e tretë e kanë kryer vetëm 8% e popullsisë.
