Të hiqen masat kufizuese! Ekspertët: Të padobishme! Komiteti: Duhet të presim ende
Me infektimet në rënie dhe vaksinimin që vijon, disa prej ekspertëve të shëndetit i shohin të panevojshme masat kufizuese anti-Covid.
Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, thotë se Shqipëria është në kushtet që mund t`i rikthehet jetës normale pa kufizime.
"Jemi në trend zbritës, numrat janë në rënie, presim që edhe nuri spitalor të jetë në rënie. Këshilla është që njerëzit të vaksinohen. Por masat janë bërë për përmbytjen spitalore, përmbytje spitalore nuk kemi dhe masat mund të hiqen që sot."
Genc Sulçebe, mjek imunolog, e konsideron të pakuptimtë mbajtjen në fuqi të orës policore por këshillon maskë dhe distancë në rastet kur qytetarët rrezikojnë infektimin.
"Për mendimin tim kufiri i orës 11 është i panevojshëm dhe mund të hiqet. Vlerë tani ka mbajtja e maskës dhe distanca."
Edhe pse Shqipëria po kalon ditë të qeta sa i përket pandemisë, autoritetet shëndetësore thonë se duhet ende kohë për të jetuar pa masa.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, thekson se vëmendja duhet përqëndruar në menaxhimin e pandemisë dhe respektimin e masave aktuale.
"Varet nga shifrat e përditësuara dhe tendenca minimumi 2 javor, për të mos thënë 3 ose 4 javore."
Në dy javët e para të shkurtit janë regjistruar mbi 10 mijë infektime nga Covid-19, përkundër 18 mijë që ishin në dy javët e para të janarit.
Pavarësisht se kurba e infektimeve është në rënie, fatalitetet mbeten ende shqetësuese.
77 persona kanë humbur jetën vetën përgjatë këtij muaji.

