Dita e pestë e luftimeve, Ukraina: 352 civilë të vrarë, mes tyre 14 fëmijë
Beteja ka hyrë këtë të hënë në ditën e pestë. Rusia dhe Ukraina po përballen me njëra tjetrën ushtarakisht në çdo qytet. Ukrainasit janë mobilizuar dhe po luftojnë për të mbrojtur vendin e tyre. Zyrtarët ukrainas njoftojnë se deri më tani kanë humbur jetën 352 civilë, mes të cilëve 14 fëmijë.
Beteja në Ukrainë vijon qytet më qytet, teksa numri i të vrarëve rritet. Për herë të parë është pranuar edhe nga Ministria e mbrojtjes ruse të dielën se ka ushtarë rusë të vrarë, por nuk është dhënë një numër.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas njoftojnë se deri më tani kanë humbur jetën 352 civilë, mes të cilëve 14 fëmijë, që prej fillimit të pushtimit të vendit.
Qytetarët kanë dalë në rrugë për të bllokuar tanket ruse, teksa presidenti Zelenski ka bërë thirrje për mobilizim masiv dhe kush do armë për të luftuar të drejtohet te ushtria.
Përkundrejt bazave ushtarake ukrainase, rusët kanë goditur edhe cisternat e mëdha të naftës e gazit në vend që digjen prej ditësh.
Në pika të ndryshme të vendit ka postblloqe ushtarake.
Kievi është fortifikuar për të përballuar një sulm rus në ditët në vijim.
Gjatë natës nuk sheh njeri nëpër rrugë, teksa ata pak që duan të blejnë gjërat e domosdoshme dalin vetëm pak minuta.
Ndërkohë që vendi është në luftë me Rusinë, shumë ndodhen nëpër strehimet ushtarake.
Me mijërat të tjerë janë drejtuar me makina apo më këmbë drejt vendeve fqinje.
