Kina kritikon sanksionet ndaj Rusisë, MPJ kineze: Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk rrezikojnë askënd
Ministria e Jashtme e Kinës ka kritikuar sanksionet e fundit ndaj Rusisë, Pekini thotë se nuk shikon zgjidhje përmes tyre por vetëm konflikte të reja dhe se me rrugën që perëndimi ka zgjedhur të dyja palët do të dalin të humbura.
Kina ka reaguar ndaj sanksioneve të fundit të perëndimit ndaj Rusisë.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme kineze heqja e bankave ruse nga sistemi Swift nuk është në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
“Kina nuk e miraton përdorimin e sanksioneve për të zgjidhur probleme dhe aq më tepër kundërshton sanksionet e njëanshme që nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare. Praktika ka vërtetuar prej kohësh se sanksionet nuk do të zgjidhin probleme, por do të krijojnë të reja, kjo jo vetëm që do të rezultojë në një situatë ku të gjitha palët do të humbin në ekonomi, por gjithashtu do të ndërhyjë në procesin e zgjidhjes politike.”
Pekini abstenoi për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, e cila mund të dënonte veprimet e Rusisë në Ukrainë.
Megjithatë zëdhënësi i zyrës së diplomacisë kineze tha se marrëdhëniet Kinë-Rusi nuk synojnë t’i kundërvihen një pale të tretë.
“Kina dhe Rusia janë partnerë gjithëpërfshirës strategjikë të koordinuar. Marrëdhëniet Kinë-Rusi nuk synojnë të godasin një palë të tretë. Pozicioni i Pekinit për çështjen e Ukrainës është konsistent.”
Kina ka zgjedhur të mbajë një pozicion disi neutral sa i përket luftës në Ukrainë. Sipas Pekinit sovraniteti i një vendi është i shenjtë, por të tjerët nuk duhet të ndërhyjnë.
