Mbi 500 mijë njerëz ikën nga Ukraina. Karvani i makinave në kufi me Poloninë
Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Rusia filloi pushtimin e saj pesë ditë më pare.
“Më shumë se 500,000 refugjatë kanë ikur tani nga Ukraina në vendet fqinje”, shkruajti shefi i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi në një postim në Twitter.
Karvani i gjatë i makinave është parë sot në kufirin me Poloninë jo shumë larg Lviv.
Një takim i ministrave të brendshëm të BE-së dha mundësinë që të lejojnë ata të jetojnë dhe të punojnë në Bashkimin Evropian deri në tre vjet pa u kërkuar atyre që të aplikojnë fillimisht për azil.
Sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit, ukrainasit me pasaporta me të dhëna biometrike lejohen të hyjnë në BE pa vizë dhe të qëndrojnë deri në tre muaj.
BE-ja ka paralajmëruar se Evropa po përballet me një krizë të madhe humanitare dhe numri i njerëzve të zhvendosur brenda vendit nga pushtimi i Rusisë mund të jetë më i lartë se shtatë milionë.
Për refugjatët do të përdoren të njëjtat direktiva që u hartuan për refugjatët gjatë konfliktit në ish- Jugosllavi, informon AFP.