Betonieret sfidojnë Veliajn, vijon lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë edhe në fundjavë
Betonieret dhe mjetet e tonazhit të rëndë në Tiranë kanë thyer sërish rregullin e vendosur nga Bashkia e Tiranës për ndalimin e qarkullimit gjatë orareve të ditës. Lëvizja e betoniereve në rrugët e kryeqytetit është kthyer në një fenomen të zakonshëm. Prej tre javësh, pas vëzhgimeve të kryera nga Ora News është konstatuar në mënyrë të vzhdueshme qarkullimi i tyre pa asnjë shqetësim.
Është ora 11:07 e ditës së dielë, dhe këto betoniere vazhdojnë punën, pavarësisht se sipas vendimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, qarkullimi i tyre gjatë orareve të ditës është i ndaluar.
500 metra të tutje, më në brendësi të Tiranës, shohim se betonieret janë në punë si normalisht.
Pas një vëzhgimi në rrugët e Tiranës të kryer nga Ora News, u konstatua lëvizja e mjeteve të rënda në disa lagje të kryeqytetit edhe pse ligji e ndalon në çdo ditë të javës.
Policia rrugore, bëri një tentativë ndërhyrje për të mos lejuar një prej betoniereve të futej brenda Unazës së vogël, por disa minuta më vonë makina e policisë u largua ndërsa numri i tyre u shtua.
Ky nuk është rasti i vetëm i thyerjes së vendimit të Bashkisë së Tiranës, pasi prej më shumë se tri javësh lëvizja e betoniere në rrugët e kryeqytetit ka qenë thuajse e përditshme edhe pse Kryebashkiaku u premtoi qytetarëve në janar të këtj viti që nuk do të lejonte lëvizjen e mjeteve të rënda.
Prania e kamionëve dhe betoniereve në Tiranë është kthyer në problem për shkak të zhurmës, ndotjes dhe trafikut që ato shkaktojnë.

