"Rama përgjegjës për 430 mln eurot", PD për incineratorin e Elbasanit: Agaçi e miratoi me procedurë antiligjore

Në një kohë që pritet të depozitohen në Kuvend dy raporte për hetimet parlamentare, Partia Demokratike deklaron se kryeministri Edi Rama është përgjegjësi kryesor i asaj që selia blu e cilëson si afera prej 430 milionë eurosh me incineratorët. Duke iu referuar Elbasanit, PD thekson se edhe pse procedura ishte anti-ligjore, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi e miratoi atë.

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për aferën prej 430 milionë eurosh me inceneratorët.

Në reagimin e saj, PD thekson se shkelja e ligjeve nuk mund të bëhej pa miratimin e vetë kreut të ekzekutivit.

Ndërsa publikon pjesë nga gjetjet e hetimeve parlamentare të zhvilluara gjatë javëve të fundit, selia blu nënvizon 4 prova të forta lidhur me incineratorin e Elbasanit.

Sipas saj në Agjesinë e Prokurimeve Publike nuk ekziston asnjë procedurë koncesioni për incineratorin e Elbasanit.

Nga ana tjetër, PD-ja thekson se APP ka njoftuar sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë Ëngjëll Agaçin se procedura për inceneratorin e Elbasanit nuk ishte ligjore.

Por pavarësisht kësaj Agaçi përgatiti VKM-në dhe kaloi mbështetjen financiare.

Po ashtu, PD thekson se koncesioni i inceneratorit të Elbasanit i është dhënë “Albtek Energy” me “negocim pa shpallje”, procedurë që ligji nuk e parashikon.

Në përfundim të reagimit të saj, PD shprehet se koncesioni iu dha një kompanie që nuk ka asnjë ditë eksperiencë në fushën e incenerimit.