14 kilometër vuajtje, rruga Krane-Livadhja është kthyer në tmerrin e drejtuesve të mjeteve

Punimet e nisura prej tre muajsh janë ndërprerë në rrugën Krane-Livadhja në Finiq. Aksi është gërryer por nuk është shtruar ende me asfalt duke shkaktuar probleme për banorët. Drejtuesit e mjeteve thonë se po u dëmtohen makinat ndërsa paralajmërojnë protesta nëse punimet nuk do të rinisin.

Rruga Krane-Livadhja në Finiq është kthyer në tmerrin e drejtuesve të mjeteve që kalojnë aty edhe pse ka një gjatësi prej vetëm 14 kilometrash.

Në dhjetor të vitit të shkuar në këtë aks nisën punimet për rikonstruksion.

Aksi u gërrye për tu shtruar më pas me asfalt. Por prej më shumë se dy muajsh gjendja mbetet e njëjtë.

Drejtuesit e mjeteve që kalojnë aty disa herë brenda ditës thonë se po u shkatërrohen makinat.

"Një mjet i ri po të bëjë dy rrugë mbaron fare."

"Ti çoj lekë familjes, apo ti jap gomës dhe mekanikut."

"Kemi shkatërruar makinat, nuk na bën zemra të dalim nga shtëpia të mbarojmë një punë."

Ata që e vuajnë më shumë janë shoferët e transportit publik, të cilët paralajmërojnë protesta nëse situata nuk merr zgjidhje.

"Vini dorë se do të bëjmë bllok."

Për banorët e drejtuesit e mjeteve, rruga e vjetër ishte në kushte shumë më të mira se kjo e sotmja.

"Ka qenë rrugë e kalueshme, e mirë."

"Të na e linin siç e kishim."

Probleme hasin edhe ata që për herë të parë u duhet të kalojnë në aksin Krane-Livadhja, pasi nuk ka asnjë tabelë që sinjalizon punimet në rrugë.

Nuk dihet ende se kur do të rinisin punimet dhe as kur parashikohet përfundimi i rikonstruksionit pasi në të gjithë gjatësinë e rrugës nuk ka tabelë mbi afatet apo firmën.

Nga ana tjetër informacion nuk ka as në Bashkinë e Finiqit, e cila thotë se projektin e ka ndërmarrë dhe po e kryen ARRSH.