"Peng i dosjeve të tij", Berisha: Basha një Don Kishot, arrë me vrimë, demokratët të votojnë opozitën e vërtetë

Sali Berisha u ka kërkuar shkodranëve që më 6 mars të votojnë kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, pasi sipas tij është opozita e vërtetë. Për ish-kryeministrin, shefi i selisë blu Lulzim Basha është peng i dosjeve të tij.

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar banorëve të Dajçit në Shkodër që më 6 mars të votojnë kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë", pasi sipas tij Lulzim Basha nuk mund të bëjë opozitë ndaj Edi Ramës.

Gjatë takimit nuk munguan as ironitë ndaj pasardhësit së tij në krye të PD.

"Të votojmë opozitën e vërtetë. Asnjë votë për Lul bravën, 100% peng i dosjeve të tij. Si një Don Kishot me mullinjtë e erës kap karrigen, gjoja nuk jam i lidhur me të, ndërkohë që ju hodhi ju gaz vetëm për karrigen e tij. Është arrë me vrimë që as nuk hahet, as nuk mbin."

Qeveria e Edi Ramës, sipas Sali Berishës, gjatë dy mandateve të saj fshatin e ka lënë në harresë.

Ai u premtoi banorëve të Dajçit se të gjitha familjet që janë dëmtuar nga përmbytjet do të marrin pas dëmshpërblimet.

"Do ta detyrojmë që të krijojë fondin e posaçëm me ligj që do të përdoret vetëm për dëmshpërbimin e përmbytjeve nga digat."

Bardh Spahia, i cili mbështetet nga Sali Berisha me 6 mars për bashkinë e Shkodrës, do të jetë në garë përballë kandidatëve të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.