Dy viktima gjatë natës në rrugë, katër të plagosur në aksidente në Shkodër-Koplik e Korçë

Dy persona humbën jetën mbrëmjen e së shtunës në rrugët e vendit. Një 21-vjeçar mbeti viktimë e një aksidenti në aksin Shkodër-Koplik, ku tre persona të tjerë u plagosën. Një 62-vjeçar ndërkohë u gjet i vdekur buzë rrugës së Tales në Lezhë.

Një i riu humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti mbrëmjen e së shtunës në aksin Shkodër-Koplik.

Ata udhëtonin në dy makina që u përplasën pranë vendit të quajtur Ura e Vrakës.

Goditja ishte e fortë siç tregojnë këto pamje.

Për pasojë 21-vjeçari, Arif Bajrami që drejtonte një prej mjeteve humbi jetwn.

Shoferi i makinës tjetër, po ashtu 21-vjeçar dhe dy persona që udhëtonin si pasagjerë mbeten të plagosur dhe ndodhen nën kujdes mjekësor.

Mungesa e ndriçimit dhe lagështira në rrugë për shkak të reshjeve dyshohet se ishin shkak për aksidentin, por ekspertët ende nuk kanë dalë në pëfundime.

Një tjetër viktimë u shënua në Lezhë.Vasil Cekaj, 62 vjeç, u gjet i vdekur në një kanal buzë rrugës së Tales në Lezhë.

Ngjarja ende është e paqartë, por dyshimet janë se ai mund të jetë rrëzuar aksidentalisht e për pasojë humbi jetën.

Ndërkohë një autoambulancë u përmbys në një prej rrugëve të Korçës gjatë orëve të mbrëmjes.

Drejtuesi i autoambulancës dyshohet se humbi kontrollin e mjetit dhe fillimisht u përplas me pemët përgjatë rrugës.

Shoferi mori lëndime, por pa rrezik për jetën.

Përgjatë shkurtit në rrugët e vendit janë shënuar disa aksidente të rënda, ndërsa muajin e parë të vitit u regjistruan 158 aksidente, me 17 viktima dhe 184 persona të plagosur.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vitit 2021 u mbull me 197 viktima dhe 1860 të plagosur në 1.376 aksidente.

Shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit është shkaku kryesor që përgjak rrugët e vendit sipas ekspertëve.                                                                                                                    

Dy viktima gjatë natës në rrugë, katër të plagosur