Kurbini kundër shkrirjes së gjykatës, Këshilli Bashkiak rezolutë kundër draftit të Hartës së re Gjyqësore

Këshilli Bashkiak i Kurbinit në emër të qytetarëve kundërshton hartën e re gjyqësore që parashikon dërgimin e Gjykatës në Lezhë. Ligjvënësit lokalë i janë drejtuar instucioneve përgjegjëse me një kërkesë, ndërsa avokatët në Kurbin paralajmërojnë protesta në rast të shkrirjes së gjykatës.

Harta e re gjyqësore po kundërshtohet edhe nga pushteti vendor në Bashkitë ku parashikohet shkrirja e gjykatave.

Pas Korçës, këshilli Bashkiak i Kurbinit ka miratuar një rezolutë kundër draftit.

"Më anë të kësaj rezolute këshilli bashkiak i Kurbinit i pozicionohet qartësisht kërkesës për qëndrimin e kësaj gjykate në Kurbin."

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Lezhë, Elton Laska, paralajmëron protesta nëse kërkesat e tyre nuk do të merren në konsideratë.

"Përshkallëzimi i protestave dhe ankesave të qytetarëve do të jetë shumë i madh."

Sipas hartës së re gjyqësore të propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor,  Gjykata e Kurbinit do të bashkohet me Lezhën.

Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të juridiksionit të përgjithshem dhe vetëm një Apeli.

Propozimi është për dy gjykata Administrative të cilat do vendosen në Tiranë dhe Lushnje, sërish me vetem një Apel.

Nësë ky draft do të miratohet pa ndryshime, nga 36 gjykata që funksionojnë aktualisht do të mbeten vetem 16.

Por sipas grupeve të interesit diçka e tillë rrit kostot dhe sjell mungesë shërbimi për qytetaret.

Kurbini kundër shkrirjes së gjykatës, Këshilli Bashkiak