Prindër dembelë, mjekët: Fëmijët po flasin me vonesë, shkak mungesa e komunikimit dhe përdorimi i teknologjisë

Kur djali i saj ishte dy vjeç e gjysmë dhe nuk kishte artikuluar ende fjalët e para kjo nënë nga Tirana nisi të shqetësohej.

"Nuk i shqiptonte shumë mirë fjalët, nuk mund t'i nxirrte dhe t'i shprehte tamam fjalët. I kuptonte të gjitha, ishte krejt normal, thjesht nuk shprehej," tha ajo.

Kontaktoi me mjekët dhe kuptoi se qëndrimi i gjatë në telefon kishte vonuar të folurin te fëmija i saj.

"Përpara ja lija 4-5 orë në ditë, ishte shumë problem. Telefoni e acaron shumë fëmijën," shtoi nëna.

Ky nuk është rast i izoluar. Mjekët logopedë thonë se vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve që kanë problem me të folurin. Teknologjia nuk është e vetmja arsye.

"Është kjo pjesa e neglizhencës prindërore e thënë gjithmonë pa dashje. Kjo është një gjë e rëndësishme. Është vetë predispozita e fëmijës për ta pasur një vonesë gjuhësore të caktuar, është të qenit djalë, pesha e ulët në lindje, lindjet e parakohshme dhe niveli socio-edukativ i prindërve dhe familjarëve," tha mjekja.

Në çdo fëmijë zhvillimi është i ndryshëm por mjekja logopede Gentjana Sinaj tregon momentet se kur prindërit duhet të shqetësohen e të kërkojnë ndihmën e specialistëve.

"Deri në moshën 12 muajsh nëse fëmija nuk ka belbëzime të vazhdueshme dhe në rritje do të thotë që kjo është një pikë që prindërit duhet të ndalen. Duhet ta shohin njëherë dhe më pas të shqetësohen. Deri në moshën 18 muajsh nëse ende nuk ka ardhur fjala e parë edhe kjo është një pikë që prindërit duhet të ndalen. Deri në moshën 2 vjeç, 2 vjeç e gjysmë fëmija duhet të ketë në fjalor të paktën 50 fjalë," tha mjekja.

Mjekja pediatre Anila Sevdari këshillon prindërit që të kalojnë më tepër kohë me të vegjlit e tyre e t`i angazhojnë ata në lojëra.

"Duke i lexuar revista, duke i treguar histori, duke folur, duke bashkëbiseduar në fillim me gjuhën e tyre dhe më pas me dëshirën e madhe që  fëmija të dijë dhe të flasë shumë gjuhë," tha Sevdari.

Edhe pse Shqipëria nuk ka studime të mirëfillta lidhur me vonesën në të folur te fëmijët hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se një në 5 fëmijë mëson të flasë apo të përdor fjalë më vonë se një bashkëmoshatar i tij.