Orges Shehi: Rezultat që na kënaq të gjithëve. Josa: Ndeshje e shëmtuar

Dueli për titull pati një fitues me meritë dhe ishte Tirana. Bardheblutë i dhanë një leksion rivalëve për titull dhe kjo e kënaq shumë trajnerin Shehi i cili në reagimin pas ndeshjes shprehu të gjithë kënaqësinë e kësaj fitoreje me lojë të bukur.

“Dua të falënderoj publikun që na erdhi në mbështetje pas javës që kaluam. Interpretuam lojën shumë mirë, duke kapur në befasi. Rezultati është shumë i kënaqshëm për të gjithë ne. E rëndësishme që pasi humbësh të ngrihesh. I forti nuk bie në tokë. Na vjen mirë që rikthehemi sepse vinim pas një ndeshjeje jo të mirë për disa arsye që i dinim mirë, në radhë të parë është fusha. Kemi thënë se çfarë iku, iku. I gjithë fokusi ishte takimi i sotëm. Kur ishim 4-0 bie motivimi. Nuk donim që ta nisnim direkt me gol. Kundërshtari na vuri pak në vështirësi, por pastaj i morëm masat. Josa? Kam punuar 4 vite me Mirel Josën. Gjithmonë do ta thërras profesor. Kemi fituar. Në lojtar në moshën time që isha atëherë, duhet të marrë nga trajner fitues. Të marrë njohuri nga ai ishte nder”, u shpreh trajneri i bardhebluve.

Në kampin e Laçit ka shumë zhgënjim dhe vet trajneri Mirel Josa e pranoi se skuadra e tij bëri një paraqitje të shëmtuar e gjithashtu u shpreh se nuk i pëlqeu mënyra sesi u mundën.

Të humbësh, mund të humbet një ndeshje, i ka tre rezultatet brenda por mënyra si e humbëm është e shëmtuar. Për faktin se nuk duhej të linim hapësirë, se na bëri presion në ato momente, por në ato zona e ato gabime sidomos te goli i parë. Nuk po diskutoj pastaj markimin në golin e dytë dhe nuk diskutoj golin e katërt i cili për mendimin tim ishte një pozicion i gabuar në vendosje i një lojtari i cili u shokua nga goli i parë. Nuk ka pse lojtarët të kenë presion se sot bënë gabime që nuk i kanë bërë ndonjëherë në ndeshjet e kaluara. Ne e dinim që Tirana do të na vinte në presion por kemi parë skuadra të mëdha. Skuadra nuk kishte ardhur për të humbur ndeshjen, diferenca është prapë 6 pikë. Por mënyra se si e humbëm nuk më pëlqeu. Tirana mund të fitonte në Krujë e historia mund të mbetej përsëri te 6 pikët. E kam thënë që kampionati ka shumë kohë. Skuadra duhet të ulet me këmbë në tokë, nuk ka mundësi një ndeshje të na çojë këtu ku ishim sot, në këto pozicione”, u shpreh trajneri i ekipit kurbinas./Ora News/.