“Diego Simeone mund të qëndrojë te Atletico sa të dëshirojë”

Atl. Madrid është ekipi kampion në fuqi në Spanjë dhe këtë vit pritej të bënin gjëra të mëdha e përkundrazi, gjërat kanë shkuar shumë keq.

“Los colchoneros” do të luajnë me Man. United në Champions ku shpresojnë të bëjnë ndryshe por për shkak të rezultateve të dobëta në La Liga, ka patur edhe hije dyshimi për të ardhmen e trajnerit argjentinas.

Për të mbyllur çdo diskutim dhe çdo dyshim për fatin e trajnerit, ka menduar presidenti Cerezo i cili vuri dhe pikat mbi “I”.

“Të gjitha skuadrat kanë momente të mira dhe të këqija, qoftë në fillim të sezonit, në fund apo në mes. Simeone do të vazhdojë këtu sa të dojë, mund të qëndrojë sa të dëshirojë dhe mund të konfirmoj se në këtë skuadër të gjithë janë me trajnerin. Ajo që ka bërë Diego këtu në dhjetë vjet është e paarritshme për shumë të tjerë. Ditën që ai të largohet do të vendosim një nga gazetarët sepse ju bëni formacionet si askush tjetër”, tha ai me shaka në reagimin e tij.

Gjithashtu presidenti i Atleticos konfirmoi se edhe Joao Felix ka raporte shumë të mira me Simeonen dhe se ai mbetet një nga lojtarët më premtues në Europë./Ora News/.