I bëri cirk zjarrfikëses që nxitonte drejt vendit ku kishte ndodhur aksident, i riu gjobitet dhe i hiqet patenta për 2 vjet


Pengimi i lëvizjes së zjarrfikëses në Vlorë një ditë më parë, e cila po shkonte në një emergjencë i ka kushtuar gjobë dhe heqje patente për 2 vjet drejtuesit të mjetit.

Video e këtij momenti publikuar nga Ora News bëri xhiron në rrjetet sociale,  ku dukej një automjet, i cili nuk i hapte rrugën zjarrfikëses për të shkuar në një vendngjarje.

"Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë, pas publikimit të videos, në bazë të informacioneve të grumbulluar  kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit F. Rr., 25 vjeç, banues në  Vlorë, drejtuesi i mjetit që u bë pengesë për mbërritjen e shpejtë të zjarrfikëses në një vendngjarje ( aksident),  ku si pasojë humbi jetën një shtetas. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u vendos masa administrative 40000 lekë, si dhe pezullimi i lejes së drejtimit për 24 muaji për shtetasin F. Rr" njoftoi policia.

Zjarrfikësja ishte nisur për të asistuar në një aksident në Rradhimë, ku humbi jetën një i ri dhe u plagos rëndë një tjetër.