Merret peng për 1 orë 22-vjeçari në Fier, dy vëllezërit dhunuan të riun se ngacmoi të dashurën e njërit prej tyre

Dy vëllezër në Fier janë arrestuar pasi kanë marrë peng për një orë një 22-vjeçar. Policia bën me dije se në pranga ka rënë vëllezërit I. A., 32 dhe E. A., 25 vjeç banues në Roskovec, pasi akuzohen për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Kanosja" dhe "Plagosje e lehtë me dashje" të kryera në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë marrë peng për rreth një orë si edhe e kanë kanosur për jetën shtetasin J. G., 22 vjeç, banues në Roskovec.

Ndërkohë Ora News mëson se vëllezërit e kanë marrë peng pasi dyshohet se 22-vjeçari ka ngacmuar të dashurën e njërit prej vëllezërve.

Këta të fundit e kanë marrë dhe e kanë çuar në një tokë në periferi të qytetit dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tij.