Tentativa për grabitjen e bankës tek Bulevardi "Zogu I", dyshohet se autorët kishin planimetri të bankës

Tentativa për të vjedhur një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet ka dështuar, pasi policia ka arritur të zbulojë dje, 22 shkurt tunelin e nëndheshëm në të cilin autorët ende të paidentifikuar e kishin përdorur për tu futur brenda institucionit financiar.

Ora News mëson se hyrja e përdorur nga autorët përmes tunelit të nëndheshëm në bulevardin "Zogu i Parë" që të arrinin objektivin e grabitjes së bankës është e vetmja.

Burime bëjnë me dije se çdo pusetë shkarkimi që përdoret vetëm në raste mbingarkese, ka lidhje me tunelin, por kanë qenë të mbyllura.

Hetuesit dyshojnë se një nga arsyet pse është përdorur ky tunel janë parametrat e favorshëm që grabitësit të punonin për gërmimin e mureve që e lidhin me bankën.

Banka që ishte në objektivin e autorëve nuk duket të jetë e rastësishme. Nga informacionet e administruara deri në këtë fazë, hetuesit dyshojnë se kjo bankë është përcaktuar nga grabitësit si ideale për shkak se në këtë filial gjatë ditës ka grumbullime të vlerave të ndryshme monetare.

Nisur nga kjo, hetuesit nuk kanë përjashtuar mundësinë, që autorët të kenë siguruar informacione të brendshme për lëvizjet në bankë. Gjithashtu ka dyshime se autorët ende të paidentifikuar të kenë zotëruar një planimetri për pikën e bashkimit të bankës së nivelit të dytë dhe hyrjes së tunelit të nëndheshëm në bulevard. Nga ekspertiza e kryer grabitësit kishin arritur të gërmonin rreth 7 m nga tuneli në drejtim të bankës.

Është ende e paqartë se sa kohë u është dashur për të kryer këto gërmime, por dyshohet se janë kryer prej disa javësh. Përveç materialeve të mbledhura në brendësi të tunelit dhe në vendin ku ishte gërmuar, hetuesit shohin si shpresë edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Janë të paktën 40 biznese përgjatë bulevardit të pajisura me kamera sigurie të cilat po analizohen.