Rama në komisionin për incineratorët heq çdo përgjegjësi: Unë udhëheq, makina shtetërore vepron

Kryeministri Edi Rama heq përgjegjësinë nga vetja sa i takon incineratorëve duke thënë se ai ka detyrën të udhëheqë, për të tjerat merret “makineria shtetërore.” 

Rama: Që t'ju sqaroj se çfarë bënë kryeministri. Kryeministri zgjidhet për të udhëhequr dhe të udhëheqësh do të thotë çfarë dhe pse. Çfarë do bëjmë dhe pse do ta bëjmë, dhe pastaj si do ta bëjmë këtë gjë ka një makinë të re shtetërore që është aty për të bërë punën e vet. Kjo makineri ka bërë detyrën e vet.

I pyetur nga kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku nëse mban mend mbledhjet e qeverisë ku janë marrë vendimet për incineratorët, Rama tha se mban mend vetëm mbledhjen kur vuri fotografinë e Ismail Qemalit. 

 Tabaku: A mbani mend mbledhjen e qeverisë më 17 dhjetor kur ka kaluar vendimi 907 për mbështetjen dhe miratimin për financimin paraprak për kontratën koncensionare të trajtimit të mbetjeve në Elbasan?

Rama: Ju duhet të më bëni pyetje që lidhen me rolin tim si kryeministër. Nëse do hyjmë si debat bashkë unë jam gati t'i përgjigjem dhe atyre pyetjeve të tjera.

Tabaku: Në rolin tuaj si kryeministër është dhe mbledhja e datës 17.

Rama: Mos më ndërprit se unë nuk e kam dhe zërin melodioz. Mos interferoni vokalisht me mua. Unë jam këtu për t'i dhënë përgjigje pyetjeve zonja Tabaku jo për të plotësuar nevojat tuaja.

Mbledhja e qeverisë ku merret vendimin është kurorëzimi i një procesi legjislativ të akteve ligjore që fillon nga sektori bazë i cili është në nevojë për aktin në fjalë, në kombinim me sektorë të tjerë, kalon nëpër filtra dhe vjen te unë.

Nga pikëpamja e përgjegjësive individuale përpara ligjit për të cilat organi i hetimit identifikon shkelje është në tagrin e secilit nuk është pjesë e procesit të vendimmjarrjes së qeverisë. Pse se duhet të mbaj unë mend mbledhje qeverie që s'kanë asnjë ngjarje.