Punimet me shtizë, motrat që vazhdojnë traditën: Në fshat nuk është çudi, por në qytet nuk përdoren

Vajzat e qytetit që ndjekin traditën e shtizës, larg Instagramit, Facebook dhe rrjeteve sociale. Këto të reja vazhdojnë në traditën e punimeve me dorë të trashëguar nga gjyshet, por e sjellin atë në mënyrë më moderne. Për këtë në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme ishin të ftuar dy motra, Ana dhe Iris Tahiri. 

Të dyja bashkë vazhdojnë të sjellin punime të bukura, të trashëguara nga nëna e tyre. Motrat në studio u shprehën se kjo nisi si një pasion për shtizat dhe punimin me dorë. 

“Ne si fillim e nisëm duke punuar me shtiza, çorape, apo punime të tjera. Më pas, ndjekëm një tjetër linjë të punuarit dhe thurjes më grep, sidomos tek çantat. Pastaj pjesa e ngjyrave është në varësi të preferencave. Kjo për ne është shumë e rëndësishme, pasi na duket sikur heqim gjithë stresin duke u marrë me këtë.

E sidomos kur merr fjalë të mira nga klienti dhe ai mbetet i kënaqur. Ana ka përfunduar studimet e larta për arkitekturë ndërsa Irisi për mjekësi veterinare, por vajzat pasionin për punimet me  shtizat nuk e kanë braktisur kurrë. Të rejat realizojnë çanta shumë të veçanta me një stil shumë të kohës të punuara me material të ndryshme me shtiza.

Tashmë këto punime kanë filluar të kenë kerkesa nga shumë konsumatorë që pëlqejnë këtë art. Për të folur më shumë rreth pasionit të tyre do të ndalen motrat në studio. Ana u shpreh në studio se “në fillim prindërit dhe të afërmit kur e dëgjuan mbetën të habitur nga ne, por më vonë edhe ata na mbështetën”.

Ndërsa, Irisi tha se “Çantat janë në trend kohët e fundit të punuara me dorë dhe vajzat i preferojnë shumë ato. Pasi tregojnë interes ndaj modeleve që ne realizojmë”.