Besjana Vajvoda tatuatorja që përdor kënanë demostron në studion e " Jeto me orën" një punim
Pjesën e dytë të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme iu kushtua një arti mjaft interesante kohët e fundit, kryesisht tek femrat. Të pikturosh në lëkurë nëpërmjet kënasë, pikërisht për të folur më shumë për këtë ishte e ftuar Besjana Vojvoda, stjuardeze. Ajo tregoi sesi lindi dëshira dhe pasioni për pikturën me këna.
“Pasionin për pikturë e kam pasur qysh të vogël. Por, pasioni për të pikturuar me këna ka ardhur në mënyrë krejt rastësore. Pikturonim njëra tjetrën, unë së bashku me motrën. Një shtysë drejt këtij profesioni le të themi që kanë shërbyer edhe filmat, serialet turke që kemi parë se vajzat në ditën e martesës lyenin duart me këna. Tashmë prej 8 vitesh e ushtroj këtë. Është zgjeruar edhe numri i klientëve, janë klientë që vijnë në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Vojvoda.
Më tej ajo në studio solli një rast, ku kishte dashur plotë tetë orë për të përfunduar tatuazhin.
“Mbaj mend një rast, që më është dashur 8 orë ta mbaroj, një pikturë tek krahu dhe tek këmbët. Pra, pothuajse në gjysmën e trupit. Më praktikuese të këtij arti janë femrat, dhe pjesët e trupit më të aplikueshme janë kryesisht në duart. Klientët vijnë me ide të qarta për të bërë tatuazhin, dhe përgjithësisht preferohen duart”, tha ajo.
Nuk është i padëgjuar tatuazhi i cili bëhet me këna, por mënyra sesi ai skalitet në lëkurë flet për një art i cili daton prej shumë shekujsh.
Vetë kënaja është një bojë që daton rreth 5000 vjet më parë e cila në përbërjen e saj ka bimën Lausonia inermis, e njohur gjithashtu si “pema e kënasë”.
Kënaja është përdorur në Egjiptin e lashtë për të pikturuar në lëkurë, për të lyer flokët,thonjtë, si dhe pëlhura të ndryshme duke përfshirë këtu mëndafshin, leshin dhe lëkurën. Në përbërjen e saj ajo ka gjethe të thata dhe prandaj ajo është në trajtë pluhuri.
Ky pluhur mund të përzihet me ujë, lëng limoni si dhe me çajra të ndryshëm. Shumë artistë që e duan këtë art bëjnë disa përzierje të veçanta në mënyrë që ajo pasi të aplikohet në lëkurë të zgjasë sa më gjatë. Pasta e formuar prej kësaj përzierje në lëkurë dizenjohet me shkop apo thupër. Në kulturën indiane për vizatime përdoret një kon plastik i ngjashëm më atë që përdoret për ëmbëlsira.
