Incineratorët/ Caka: Veliaj bëri show në Komisionin Hetimor, tha broçkulla. PD i dha hapësirë
Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka, është shprehur se Kryebashkiaku Erion Veliaj është kreu incineratorit të Tiranës, ndërsa shtoi se në lidhje me këto kontrata koncesionare ka shkelur me dy këmbë ligjin.
Në një intervistë për Ora News, Caka tha se retorika që përdori Veliaj në Komisionin Hetimor ishte për të mbuluar gjurmët për aferë e incineratorëve.
Silva Caka: Erion Veliaj është kreu I incineratorit të Tiranës. Ka shkelur disa herë me të dyja këmbët ligjin, me përgjegjësi të plotë. Retorika e tij sot ishte politike për të mbuluar gjurmët dhe për të dhënë mesazhe të nënkuptuara duke mos shitur shokët por duke thënë “Më ndihmoni sepse pos më ndihmuat do ju shesë”. Pyetjet nuk mu dukën të denja për një njeri, i cili mban përgjegjësinë kryesore të incineratorit të Tiranës. Aty ka fakte dhe prova të mjaftueshme të vet Erion Veliajt.
Ndër të tjera ajo tha se opozita nuk duhej t’i jepte hapësira Veliajt që të bënte show në Komision.
Silva Caka: E gjitha ajo që ndodhi sot ishte një show. Opozita nuk ka se si t’i japë hapësira Erion Veliajt që të bëjë atë lloj show që ka bërë sot. Zhvendosja e vëmendjes është një tjetër favor që Komisioni Hetimor i bën Veliajt.
Caka tha se nga marrja në pyetje e Veliajt nuk u mor asnjë përgjigje në lidhje me atë që ishte thirrur.
Silva Caka: Për çfarë e thërret Erion Veliajn, që të dëgjosh broçkullat që foli sot, për çfarë e thërret Engjëll Agaçin që të dëgjosh sesi funksionon Këshilli i Ministrave. Nuk ke nevojë, ke një ligj përpara syve. Ajo çka unë pres nga komisioni Hetimor është nëse nuk do të jepet më mundësia për të thirrur Erion Veliajn, praktikisht çfarë nxorëm. Komisioni Hetimor nuk mund ta kthejë gjënë në farsë. Me çfarë do të disponojë pas kësaj marrje pyetje Komisioni Hetimor për Erion Veliajn apo Engjëll Agaçin, sepse nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
