"Mesatarja për mësuesinë nuk ulet", Kushi: Fondi i ekselencës për të rinjtë që studiojnë në Shqipëri
Nga Elbasani Ministrja e Arsimit Evis Kushi u shpreh e vendosur për të mos ulur mesataren për programet e mësuesisë. Ajo tha se të rinjtë që do të zgjedhin këto degë do të përfitojnë bursa e tarifat do t`i kenë më të ulëta.
Të rinjtë nuk duan të bëhen mësues.
Por pavarësisht rënies së interesit Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se nuk do të ketë ulje të mesatares për programet e mësuesisë.
Ata që do të zgjedhin këto degë do të kenë mbështetjen e qeverisë.
"Ne nuk synojmë që të ulet mesatarja sepse ne duam që ata që bëhen mësues të jenë ndër më të mirët", tha Kushi.
Fondi që do të shkonte për të rinjtë ekselentë që studionin jashtë do të qëndrojë në Shqipëri, për të mbështetur ata studentët që nuk braktisin vendin.
"Kohët e fundit ne fondin e ekselencës po e ndryshojmë për t'ia dedikuar atyre studentëve që qëndrojnë në Shqipëri. Deri sot fondi i ekselencës ka qenë për të rinjtë dhe të rejat që studiojnë jashtë, por duke qenë se një pjesë e tyre nuk kthehen dhe në fakt qëllimi ka qenë të studiojnë dhe të vijnë të japin kontribut për vendin. Për këtë arsye ne do nxisim ata që studiojnë këtu", tha Kushi.
Nga Elbasani ku zhvilloi një takim me nxënës Ministrja Kushi tha se këtë vit Matura Shtetërore nuk pëson ndryshime por një grup pune me ekspertë i ngritur që prej shtatorit po shikon mundësinë nëse nevojitet një reformë rrënjësore.
