Plagosi dy persona dhe mori peng një tjetër, 45-vjeçari vetëvaret në burg një javë pas arrestimit

Vetëm 6 ditë pasi u arrestua nga policia, 45-vjeçari Astrit Pukameta i ka dhënë fund jetës në burgun e Peqinit duke u vetëvarur.

Të dënuarit i është dhënë menjëherë ndihma e parë nga ana e gardianëve dhe është mundur të nxirret i gjallë nga burgu i Peqinit por ka ndërruar jetë në spital.

Ai ndodhej në burg për veprat penale kanosje, plagosje të rëndë dhe heqje e lirisë.

Arrestimi i tij u bë me 16 shkurt.

Ngjarja si në filma që çoi në arrestimin e tij

Në rrugën dytësore, në afërsi të mbikalimit në Kavajë, shtetasi Astrit Pukameta, 45-vjeç është konfliktuar me shtetasit V. K. dhe I. M. dhe i ka spërkatur me naftë, duke kërcënuar se do t’i djegë.

Ndërkohë, pas konfliktit me këta të dy persona ai ka vajtur në një dyqan ku është konfliktuar edhe me shitësin e dyqanit, shtetasin Bardhyl Petja dhe e ka plagosur me thikë.

Në afërsi të këtij dyqani, nën kërcënimin e thikës, ai ka marrë peng shtetasin Arjan Shau bashkë me makinën e tij dhe është larguar në drejtim të Rrogozhinës.

Ndërkaq, në fshatin Lekaj, shtetasi Arjan Shau, ka tentuar të devijojë makinën, dhe është futur në parkimin e një karburanti dhe shtetasi Astrit Pukameka e ka plagosur me thikë.

Pasi kanë dalë nga makina, ai është afruar te vendqëndrimi i punonjësit të karburantit, i ka marrë shumën e xhiros ditore prej 120 mijë lekësh.

Në këtë moment kanë arritur shërbimet e Policisë, ndërsa ai ka kërcënuar se do digjte karburantin, por është prangosur nga blutë.