Gjykata mbyll në burg “Reqin e Korçës”, SPAK shpall në kërkim mikun e tij, Ervis Kosovën
Ervis Kosova, është personi i dytë që shpallet në kërkim nga SPAK, si njeriu që dyshohet se ka bashkëpunuar me Elton Goskovën, me qëllim manipulimin e dëshmitarit të Drejtësisë, Luftar Reçi.
Lajmi për shpalljen në kërkim të Kosovës, konfirmohet për “Ora News” nga burime pranë SPAK, të cilat thanë se i riu tashmë është shpallur në kërkim, pasi Policia e Shtetit, nuk ka mundur ta arrestojë në territorin Shqiptar.
Burimet thonë se, Ervis Kosova, prej disa muaj është larguar në drejtim të Kosovës, shtet në të cilin vijon të banojë. Ndërsa hetimi penal dhe mbajtja në mbikqyrje e Ervis Kosovës dhe Elton alias Gentian Goskovës, ka filluar qysh prej muajit qershor të vitit 2021.
Prokuroria e Posaçme SPAK, ka administruar një sërë prova si përgjime dhe fotografim të takimeve, që dy personat e proceduar kanë kryer me individë të ndryshëm të familjes Reçi, me qëllim manipulimin e dëshmitarit të SPAK, Luftar Reçi, i cili ka treguar për dy ngjarje shumë të rënda, ku në muajin Shkurt 2005 në Tiranë u vranë Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe në Durrës u ekzekutua, Klodian Saliu.
Ndërkohë ditën e sotme, Gjykata e Posaçme, ka vendosur të lerë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në Burg”, për Elton alias Gentian Goskovën, i arrestuar me urdhër të prokurorit, Altin Dumani. Vendimi për mbylljen në burg të Goskovës ose siç njihet ndryshe me nofkën “Reqi i Korçës”, është marë paraditen e sotme nga gjyqtari, Erjon Bani. Avokatja mbrojtëse e Goskovës, ka kërkuar në gjykatë një masë më të butë, duke i pohuar gjykatës masën e “Arrestit në shtëpi” ose “Garanci Pasurore”.
Por kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtari Bani, i cili vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Dumani, duke mbyllur në burg “Reqin e Korçës”. Elton Goskova, është proceduar disa herë nga prokuroria e Korçës, për vepra të ndryshme penale. Tashmë “Reqi i Korçës”, që dikur ka qënë pjesë e ish-bandës së “5 Dyqaneve” në këtë qytet, ndodhet në burg. Po ashtu, Elton Goskova është arrestuar në Itali, vite më parë për shfrytëzim prostitucioni.

