PD kërkon verifikimin e kandidatit të Berishës në Lushnje: Fshehu dënimin për vjedhje në Angli

Partia Demokratike i kërkoi KQZ-së verifikimin sipas ligjit të dekriminalizimit të kandidatit të LSI-PDK në Lushnjë Elton Bano. 

PD ka të dhëna se ai ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe.

“Sipas informacioneve të verifikuara në rrugë konfidenciale nga Partia Demokratike, rezulton se shtetasi Elton Ilir Bano, i datëlindjes 24.07.1978 ka qenë i proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në periudhën 1998-2000", thuhet në kërkesën e PD drejtuar KQZ-së.

PD thekson se këto të dhëna janë fshehur qëllimisht në deklarimin e kandidatit, një fakt që sjell përjashtimin e menjëhershëm të tij.

“Fshehja e këtyre të dhënave ka qenë me qëllim për të penguar institucionet të kryejnë verifikimin", thuhet në kërkesën e PD për verifikimin e Elton Banos. 

Tre vitet e fundit, PD ka bërë kërkesa për verifikime të përfaqësuesve te PS në disa Bashki pas zgjedhjeve të Qershorit 2019 dhe të gjitha faktet e bëra publike kanë rezultuar të vërteta.