Sarandë: Lejoi ndërtimin e pallatit 7 katësh pa leje. Arrestohet në mesnatë shefja e IKMT, ikën biznesmeni
Është arrestuar në Sarandë shefja e IKMT-së Romina Pulaj, pasi gjatë hetimeve të kryera u konstatua se ajo ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e një pallati 7 katësh, i cili rezulton se nuk kishte leje ndërtimi të lëshuar nga bashkia Sarandë.
Operacioni për arrestimin e zyrtares së Partisë Socialiste që shërben pranë IKMT-së Sarandë, është kryer nga komisariati i Policisë dhe prokuroria e qytetit, e cila kishte lëshuar një mandat arresti për Romina Pulaj dhe biznesmenit, Pandi Papuçi.
Romina Pulaj, është shoqëruar nga policia në orën 24:00 të natës, teksa ndodhej në banesë me shtetasin Martin Arapin, vartësin e saj në IKMT-në Sarandë, me të cilin ka krijuar një marëdhënie përtej punës.
Ndërsa biznesmeni Pandi Papuçi, është larguar duke ju fshehur policisë dhe ende deri tani nuk është arrestuar nga policia, raporton Ora News.
Shefja e IKMT-së Romina Pulaj, është ndaluar dhe aktualisht ndodhet e izoluar në komisariatin e Sarandës, në pritje për të dalë para gjykatës së Sarandës për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.
Veç procedimit të dy personave, zyrtares Pulaj dhe biznesmenit Papuçi, prokuroria e Sarandës, ka urdhëruar sekuestrimin edhe të pallatit 7 katësh që ndodhet duke u ndërtuar në hyrje të pallatit të Sarandës.
Ky është operacioni i parë që kryhet ndaj një funksionarit të IKMT-së në Sarandë, zonë në të cilën ndërtimet pa leje janë kthyer në modë, edhe pse kryeministri Edi Rama, pak muaj më parë ndërmori një aksion për prishjen e ndërtimeve pa lejë në zonën turistike të Ksamilit dhe jo vetëm.
Veç, kësaj çështje Romina Pulaj, është kallëzuar penalisht edhe në dhjetëra raste të tjera ku është konstastuar abuzimi me detyrën, dosje këto që janë në trajtim nga prokuroria e Sarandës, informon Ora News.
Sipas një kallëzimi të botuar pak kohë më parë nga “Ora News”, Romina Pulaj, në cilësinë e shefes së IKMT-së pranë bashkisë Sarandë, ka lejuar ndërtimin pa lejë të kateve shtesë në objektin ekzistues.
Sipas materialit hetimor të përcjellë nga policia e Sarandës në prokurorinë e këtij qyteti, thuhet se Zambak Beqiri dhe Trëndelina Beqiri, kanë konflikt me Kolë Nokun, ky i fundit administrator i shoqërisë “Noku 2008”.
Kjo shoqëri ka marë një lejë ndërtimi nga bashkia Sarandë në vitin 2006, për të ndërtuar pallat në pronën e Aleko Likës, por pallati nuk është ndërtuar brenda afatit kohor prej 3 vitesh, afat kur duhej të zbatohej leja e ndërtimit.
