Rrafshohet "5 Maji" në Tiranë. Gaz lotsjellës drejt banorëve, shemben 12 shtëpi
Zona e rrugës "5 Maji", Tiranë u kthye sërish sot, 22 shkurt 2022, në një fushë betejë.
Në një anë banorët u vunë në mbrojtje të banesave e në tjetrën policia dhe Inspektoriati i Territorit të Tiranës mësymjen për shembjen e 12 banesave
Këto gra u rreshtuan në hyrje të lagjes me shpresën se do ti rezistonin forcave të shumta.
Rreth orës 07:00 të paradites forcat e rendit nisën aksionin në shpërndarjen e familjarëve ku nuk munguan as përplasjet. Ndonëse në sasi më të pakta edhe këtu nuk mungoi gazi lotsjellës.
Qëndresa nuk rezistoi shumë, ndërsa përplasjet vazhduan shtëpi pas shtëpie.
Ndaj policisë u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta dhe si përgjigje morën sërish gaz lotsjellës.
Disa prej banorëve zgjodhën të qëndronin mbi çati për të mos lejuar shembjet, e të tjerë rezistuan brenda ambienteve.
Në mbështetje këtë radhë ishte dhe ish kryetari i grupit parlamentar të PD Alfred Rushaj.
"Këto ndërhyrje që kanë bërë i kanë në kundërshtim me ligjin, gjithashtu kanë shkelur Kushtetutën", tha Rushaj.
Banorët edhe një herë kërkuan respektimin e të drejtës mbi pronën
"Faqezinj."
"Turp, është tmerr. Të dalim në votime kot, për kë të dalim. 32 vite nuk kemi parë një ditë të mirë me sy."
Nga 12 objektet që u shembën këtë të martë 7 kishin hipotekë, ndërsa aksioni do të vazhdojë me sheshimin edhe të banesave të tjera.


