Hetimet e SPAK-ut dhe Kuvendit, Tabaku kërkon informacion për dëshmitë që do jepen në Komision
Prokuroria e Posaçme nuk jep informacion në lidhje me hetimin për incineratorët duke qenë shumë diskrete.
Dëshmitarët e thirrur nga Komisioni Hetimor janë thirrur dhe nga SPAK. Gazetarja e Ora News, Keti Banushi informon se Prokuroria e Posaçme i ka shprehur shqetësim Komisionit Hetimor për faktin se dëshmitë duhet të merren fillimisht nga Prokuroria e Posaçme dhe më pas nga Komisioni pasi mund të prishin dhe hetimet.
Mendohet se për këtë është diskutuar edhe në takimin që kryetarja e Komisionit Hetimor Jorida Tabaku zhvilloi ditën e sotme, 21 shkurt me shefin e SPAK Arben Kraja.
Deputetja Jorida Tabaku rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm ndodhej në SPAK dhe në një deklaratë për mediet pas përfundimit të takimit theksoi dhe njëherë mbështetjen e Komisioni Hetimor për SPAK duke i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe dokumentet. Tabaku deklaroi se takimin me Krajën e kishte kërkuar ajo.
