Do shiste 3 mina me telekomandë për 1600 euro secilën, pranga korçarit
Këto pamje tregojnë operacionin e Policisë së Korçës ku u sekuestruan 3 bomba me telekomandë që besohet se do të shiteshin në juglindje!
Në pranga përfundoi Ilir Burbuqi, 64 vjeç.
Ai u kap duke udhëtuar me një mjet në aksin Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë-Plloçë, ku policia i bëri pritë pasi kishte marrë informacion për lëvizjet.
Minat ishin të lidhura me celularë, siç tregojnë këto pamje dhe ishin, gati për shpërthim.
Dyshimet janë se bombat do të shiteshin për 1600 euro copa dhe me kapjen në kohë, besohet se ka parandaluar një ngjarje kriminale.
Policia e Korçës tregohet e rezervuar me detaje, për shkak se hetimet vijojnë për dokumentimin e veprimtarisë kriminale sikurse identifikimin e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.
64 vjeçari Ilir Burbuqi ndërkohë do të përballet me drejtësinë me akuzën e "Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Operacionet e Policisë së Shtetit kane treguar lulëzim të tregut të zi të armëve dhe municioneve kryesisht në Durrës, Lezhë dhe Elbasan.
Shpesh herë oficerët e policisë kanë qenë të kamufluar si blerës të tyre.
Çmimi i një bombe me telekomandë sipas raportimeve shkon deri në 3000 euro.



