U gjobit me 13 mln lekë/ Banorja e "5 Majit" me 2 fëmijët e mitur në krah proteston para bashkisë: Veliaj po hakmerret
Banorët e zonës së "5 Majit" në kryeqytet janë grumbulluar sërish mëngjesin e kësaj të hëne, 21 shkurt para bashkisë së Tiranës. Ata kërkojnë marrëveshje të drejtë për shpronësimet nga pronat e tyre.
Gazetarja Sonila Musai ishte pranë banorëve, protestat e të cilëve vazhdojnë prej kohësh.
Laureta Nikolli, banore e "5 Majit" është gjobitur nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit për ndërtim pa leje. Ajo tha se kjo është hakmarrje e bashkisë së Tiranës për faktin se ka ngritur zërin kundër shembjeve.
"Ishin banorët që donin të më mbështesnin për pjesën e gjobës që është vendosur sepse realisht ne mendojmë se kjo ishte një hakmarrje, jo ndaj meje pro ndaj fëmijëve të mi. Duke qenë se nesër ndodhin shembjet ne i kërkojmë bashkisë ta rimendojë akt-marrëveshjen për pjesën e banorëve të tjerë dhe jo për mua sepse unë nuk kam çfarë firmos dhe nuk pretendoj asgjë nga bashkia. Të vendosë Kur dhe Ku sepse po shkel ligjin me të dyja këmbët. Në qoftë se këta po shkelin ligjin, mos pretendojnë që do ta respektojmë ne nesër. Nga 13 shtëpi që janë deri tani pa leje jam gjobitur vetëm unë me një gjobë prej 13 milionë lekësh. Arsyeja është ndërtim pa leje, ndërkohë që nuk ka asnjë sens juridik sepse ato shtëpi do shemben. Unë atë shtëpi s'do ta kem, bonus qiraje jo, as rimbursim. Nuk e marr vesh pse është vendosur gjoba."
Banorja e gjobitur tha se kjo gjobë është hakmarrje. Gjoba i është vendosur me 15 shkurt, ndërsa ka afat për të liruar banesën e saj deri më datë 22 shkurt të këtij muaji, ditë kur edhe do të shembet.
